Malteser Shqipëri, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, Shkodër – TEULEDA, si partnerë të Projektit “Programet Efikase për Integrimin/Përfshirjen e Romëve në Evropën Juglindore” (PAIRS), financuar nga Komisioni Evropian përmes Programit të Bashkëpunimit Transnacional për Evropën Juglindore, organizuan me datë 16 dhjetor, 2013, në Shkodër, tryezën e rrumbullakët kombëtare: “Ne bëjmë diferencën: Fuqia për të vendosur çfarë ndodh me Romët në vendin tonë”; PAIRS – Mbështetje për Programimin 2014 – 2020.
Kjo është tryeza e rrumbullakët e dytë, pas asaj të zhvilluar në Elbasan, e cila organizohet duke marrë në konsideratë objektivat kryesore të projektit PAIRS për reduktimin e përjashtimit social të Romëve në vendet e Evropës Juglindore, duke eksploruar dhe përdorur praktikat më të mira te organizatave të shoqërisë civile dhe të autoriteteve publike lokale, si dhe duke pasqyruar mësimet e nxjerra nga këto qasje në politikat dhe programet e ardhshme që do të implementohen në nivel rajonal dhe kombëtar, me një pjesëmarrje sa më të gjerë të përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile dhe administratës publike.Debati i tryezës së rrumbullakët u fokusua në fushat kryesore të përfshirjes së Romëve, siç janë përcaktuar në Programimin Evropian 2014 – 2020:
1. Infrastruktura dhe strehimi
2. Punësimi
3. Shëndeti
4. Përfshirja dhe Mbrojtja sociale
5. Arsimi
6. Trashëgimia kulturore
Në këtë tryezë të rrumbullakët morën pjesë rreth 43 vetë, mes të cilëve Znj. Denada Seferi nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë; Znj. Blerina Zoto nga Sekretariati Rom në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë; Znj. Valbona Tule nga Shërbimi Social; Znj. Amela Bushati nga Zyra e Shëndetit Publik; Znj. Erjeta Laçej nga Drejtoria Arsimore Shkodër; përfaqësues të Qarkut, Bashkisë dhe Prefekturës Shkodër, Policisë së Shtetit, të Shkollave me numër të madh nxënësish nga Komuniteti Rom dhe Egjiptian, të Drejtorive Arsimore, organizatave Rome, organizatave të shoqërisë civile, ekspertë të çështjeve Rome nga administrata/autoritete lokale/kombëtare dhe persona të tjerë të interesuar apo që merren me çështjet e Romëve, nga Shkodra, Lezha dhe Tirana.Pas prezantimit të projektit “PAIRS – Programet efikase për integrimin/përfshirjen e Romëve në Evropën Juglindore”, u ofruan shembuj të praktikave të mira nga përfaqësues të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë mbi strehimin; nga Malteser Ndihmon në Shqipëri mbi Arsimin dhe nga Romani Bax mbi Ndërtimin e Komunitetit.
Tryeza e rrumbullakët u mbyll me një analizë mbi rezultatet dhe rekomandimet e këtij takimi, të cilat do të paraqiten pas mbarimit të tryezave të rrumbullakëta në takimin që do të mbahet me përfaqësuesit e të gjitha vendeve pjesëmarrëse në Projektin PAIRS.
