Në kuadër të Ditës Botërorë të Ndihmës së Shpejtë, Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik, Qendrën Shëndetësore në Gur të Zi, Qendrën Shëndetësore në Bardhaj, shkollën 9-vjeçare në Bardhaj, si dhe me Departamentin e Infermierisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, zhvilluan një aktivitet sensibilizues mbi Ndihmën e Shpejtë.
Situatat e stimuluara, të cilat janë dukur si reale, kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve, duke provuar kështu edhe sensibilizimin e tyre ndaj aksidenteve apo ndaj situatave kur një personi mund t’i nevojitet ndihma e shpejtë. Qëllimi i vendosjes së kësaj dite është sensibilizimi i komunitetit mbi rëndësinë që ka dhënia e Ndihmës së Shpejtë në çdo rrethanë e situatë që ajo kërkohet. Në jo pak raste shumë persona nuk janë në gjendje të ofrojnë një shërbim urgjent, të veprojnë me korrektësi dhe për pasojë kemi jo pak humbje jete, apo rëndime të shëndetit të të sëmureve apo të të lënduarve.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin banorët e fshatit Gur i Zi, kryesisht të rinj të këtij fshati, si dhe nxënës të shkollës 9-vjeçare në Bardhaj. Vullnetarët e Organizates Shqiptare të Urdhrit të Maltës i informuan pjesëmarrësit mbi rëndësinë që ka për çdo person dhënia e Ndihmës së Shpejtë tek të tjerët si dhe me anën praktike dhe teorike të dhënies së saj.