Është viti i tretë që Malteser Shqipëri po mbështet kopshtin për fëmijë të cilët vijnë nga familje që janë në nevojë, që nuk janë të integruar në shoqëri,dhe për ato familje të cilat nuk mund t’i përballojnë kopshtet shtetërore apo private sepse ato janë të shtrenjta.
Gjashtëdhjetë e gjashtë (66) fëmijë kanë ndjekur kopshtin gjatë vitit shkollor shtator 2011-korrik 2012 të ndarë në dy grupe sipas moshës, nga ora 7.30 -15.00, nga e hëna deri të premten. Njëzet e një (21) fëmijë kanë hyrë në klasën e parë këtë shtator. Mësueset kanë punuar me fëmijët, duke i mësuar dhe edukuar sipas planit të kopshtit. Gjithashtu mësueset kanë ndjekur një plan zbavitjeje sipas ngjarjeve të ndryshme, si ditëlindje, Pashkët, apo ekskursione. Gjatë periudhës janar-shtator janë festuar 33 ditëlindje, Pashkët, festa e mësuesit dhe e nënës, dita e verës, dita e luleve, festa e fëmijëve, janë bërë dy ekskursione në fshatin e Paqes dhe dy ekskursione në një qendër lojërash për fëmijë.
Një ngjarje e veçantë ka qenë drama “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët” e luajtur nga fëmijët në kopsht e më pas në fshatin e Paqes në fund të vitit shkollor.
Viti i ri shkollor ka filluar më 1 shtator 2012. Kopshti ka mirëpritur 61 fëmijë, prej të cilëve njëzet e nëntë (29) fëmijë të rinj. Mësueset i kanë ndarë fëmijët në dy grupe sipas moshave, grupi i parë ka 29 fëmijë të moshës 3-4 vjeç dhe grupi i dytë ka 32 fëmijë të moshës 5-6 vjeç. Ato ndjekin një plan të cilin e kanë hartuar sipas programit vjetor.




