Në datat 23 – 26 tetor, 2015, në Romë, Itali, është zhvilluar Shtegtimi Botëror i popullit Egjiptian dhe Rom. 23 Romë dhe Egjiptianë nga qyteti i Shkodrës, Tiranës, Fierit dhe Korçës kanë marrë pjesë në këtë shtegtim. Mes këtyre pjesëmarrësve ishin edhe fëmijë me probleme nga shkolla speciale “3 Dhjetori”, në Shkodër.
Shtegtimi u mundësua nga “Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës”, si dhe nga Ambasadori Franz Salm-Reifferscheidt, Ambasador i Urdhrit Sovran të Maltës për Çështjet Rome.
Gjatë ditëve te shtegtimit është vizituar Bazilika e Shën Pjetrit, Monumenti Colosseo, sheshet Piazza Venezia, Piazza di Spagna, Piazza Navona, është lutur Udha e Kryqit në zonën e Colosseo-s dhe është kremtuar Mesha e Shenjtë në Shenjtëroren e Zojës së Dashurisë Hyjnore.
Pas 4 ditësh, shtegtimi u mbyll me Audiencën e veçantë të Papës, në sallën Paul VI në Vatikan. Në Audiencë me Papën ishte i pranishëm edhe Princi dhe Mjeshtri i Madh, Fra’ Matthew Festing.
Në këtë shtegtim morën pjesë mbi 5000 Romë dhe Egjiptianë nga të gjitha vendet e Evropës, Amerikës dhe Azisë. Ngjarja përkujtoi njerëzit ciganë dhe të gjithë komunitetin, hapjen e Kishës ndaj atyre që jetojnë në një shoqëri të margjinalizuar si dhe synoi të bënte një “takim të kulturave” si një mundësi për ndërgjegjësimin e publikut për historinë dhe cilësinë e Ciganëve, shpesh viktima të paragjykimeve dhe armiqësisë.