Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës, në bashkëpunim me Departamentin e Infermierisë së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ditën e marte dt 12 Maj 2015 organizuan aktivitetin mjekësor me në fokus ofrimin e shërbimeve të ndryshme shëndetësore falas.
Ky aktivitet u zhvillua në katër pika (vende) të qytetit të Shkodrës: tek sheshi përpara Bashkisë, tek Posta, tek Fakulteti i Shkencave Natyrore si dhe tek Ambulatori “Malteser”. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte ofrimi i disa shërbimeve mjekësore bazë tek qytetarët. Këtë ditë qytetarë të moshave të ndryshme kanë pasur mundësi të bëjnë ekzaminime të tilla si: matjen e glicemisë në gjak, matjen e presionit arterial, matjen e indeksit të masës trupore, EKG, spirometri etj.
Këto ekzaminime u realizuan nga infermierë vullnetarë të Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës, si dhe nga studentë të vitit të 3-të të Fakultetit të Infermierisë.
Rreth 600 persona morën shërbimin e ofruar.



