Si çdo herë, karnevalet sollën një tjetër atmosferë për qytetin e Shkodrës. Përveçse një ftesë për të filluar kohën liturgjike të Kreshmëve, mbarë qyteti përjetoi ngjyrat festive në rrugët e qytetit, kthyer tashmë në një traditë të pandryshueshme, me parada njerëzish të veshur me kostume të llojllojshme e maska në fytyrë, me këngë, kërcime, batuta të ndryshme dhe djegien e dordolecit, si shenja finale e zhdukjes së të keqes në mesin e njerëzve.
Vullnetarët e Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës kanë krijuar një atmosferë mjaft pozitive në ambientet e Fshatit të Paqes dhe tek shtëpia “Misionaret e Bamirësisë Nënë Tereza”, duke qenë pranë fëmijëve Romë e Egjiptianë dhe pranë fëmijëve e vajzave me aftësi ndryshe.
Ata i kanë festuar Karnevalet me ta, duke sjellë një atmosferë gëzimi e zbavitjeje përmes lojërave, kërcimeve, face painting etj.




