Misioni i organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës është mbështetja e njerëzve në nevojë dhe të margjinalizuar, pa paragjykim race, feje, apo aftësie.
Pranë zyrës së Malteser ndodhet “Qendra e këshillimit dhe e shërbimit Malteser”, e cila shërben që prej tre viteve si pikë referimi për personat me aftësi ndryshe, veçanërisht për fëmijët, me praninë dhe shërbimin e një stafi të specializuar si: logoped, psikolog, fizioterapist etj.. Janë 30 fëmijë të cilët marrin shërbim falas në Qendër.
E nxitur nga kjo përvojë e suksesshme në këtë fushë, si dhe në kuadër të muajit kombëtar të sensibilizimit mbi autizmin, Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës, në bashkëpunim të ngushtë me DAR, organizoi një aktivitet sensibilizues ndaj paaftësisë, me pjesëmarrjen e vullnetarëve të saj, nxënësit e shkollave të qytetit të Shkodrës, “Maria Ndihmëtare”, “Branko Kadia, “Ndre Mjeda”, “3 Dhjetori”, “Ismail Qemali” dhe “Shpresa për të ardhmen”.
Aktiviteti filloi me një ecje, duke shpërndarë mesazhe sensibilizuese, fletëpalosje informuese në mbështetje të fëmijëve me autizëm, sindromën down, apo të paaftësive të tjera.
Më pas, në sheshin para Bashkisë, fëmijët e shkollës “3 Dhjetori” dhanë një program të shkurtër artistik, i cili u finalizua me ngritjen e balonave të përgatitura nga vetë fëmijët e shkollave.
Në këtë aktivitet sensibilizues morën pjesë rreth 500 fëmijë të shkollave 9-vjeçare të shoqëruar nga mësuesit e tyre, prindër të fëmijëve me aftësi ndryshe, Drejtorja e Zyrës së Arsimit, inspektorë të arsimit dhe 30 vullnetarë Organizatës Malteser.
Aktiviteti u komentua nga të gjitha televizionet rajonale, duke pasur në qendër mesazhet e vullnetarëve dhe fëmijëve dhe falënderimin e tyre ndaj Malteser për këtë nismë kaq të dobishme, e cila u finalizua në orarin e mbrëmjes, ku audienca është e lartë, me një emision të posaçëm, “Studio e Hapur”, me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave, të cilët diskutuan dhe dhanë mesazhin e tyre në lidhje me aktivitetin në fjalë.










