Në kuadrin e aktiviteteve sensibilizuese mbi paaftësinë, ditën e premte, më 16 tetor, Organizata Shqiptare e Urdhrit të Malës, në bashkëpunim me DAR Shkodër, DAR Lezhë si dhe Drejtorinë Rajonale të Shëndetësisë Shkodër, organizuan në ambientet e bibliotekës ”Marin Barleti” tryezën e rrumbullakët me temë: ”Autizmi në klasën tuaj”.

Gjatë kësaj tryeze u bë një prezantim i shkurtër i materialit të broshurës dhe më pas u diskutua mbi çështjet të cilat kanë të bëjnë me evidentimin dhe integrimin e fëmijëve të spektrit të autizmit në institucionet arsimore. Përveç përfaqësuesve të DAR Shkodër dhe DAR Lezhë, morën pjesë edhe mësues e psikologë të shkollave të ndryshme të qytetit të Shkodrës, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të cilët punojnë veçanërisht me fëmijë.

Gjithashtu ata evidentuan arritjet dhe vështirësitë të cilat shoqërojnë sistemin shëndetësor dhe arsimor në qytetet tona në këtë fushë. Në fund të tryezës u sugjerua që takime të tilla të bëhën përsëri në mënyrë që të diskutohet se si mund të përmirësohen problematikat e dala nga ky takim.
Pjesëmarrësve iu shpërndanë botimet e qendrës dhe iu kërkua që edhe ata të japin ndihmesën e tyre se ku mendojnë se organizata jonë mund t’i asistojë në të ardhmen.