Prej datave 23-26 tetor 2014, në Budapest, Hungari, u mbajt takimi i katërt i Rinisë Malteser mbi krijimin e rrjetit ndërkombëtar të Rinisë Malteser, iniciuar nga Komiteti Drejtues për Evropën Qendrore dhe Lindore (EQL) i Organizatës Humanitare të Urdhrit të Maltës (OMRO), me përfaqësues nga 6 vende pjesëmarrëse: Shqipëria, Çekia, Hungaria, Lituania, Rumania dhe Ukraina.

Në hapje të konferencës, organizatorët shpalosën synimet për periudhën e ardhshme dhe listuan objektivat dhe përparimin e mundshëm të workshop-it. Të gjitha vendet pjesëmarrëse bënë një paraqitje të shkurtër të rezultateve pozitive të projektit në nivel lokal.
Dita që pasoi filloi me paraqitjen e pritshmërive, kontributeve dhe frikës mbi workshop-in. Pas kësaj, pjesëmarrësit ofruan shembuj të mirë dhe negativë, të përjetuara gjatë punës së tyre me vullnetarët e rinj.
Tema qendrore e takimit ishte kalimi përmes fazave të ndryshme të menaxhimit të vullnetarizmit, njohja teorike dhe përpjekja për të hedhur hapa në praktikë në të njëjtën kohë.
Pjesa kryesore e ditës së fundit ishte përcaktimi i fazave të tjera të projektit, duke përfshirë vizitat studimore në vendet pjesëmarrëse dhe takimin pasardhës të workshop-it, i cili do të mbahet në janar në Rumani.