Malteser Shqipëri përfundon vitin e parë të zbatimit të projektit “Trajnimi i Ndihmës së Parë” në shkollat Shkodër e Lezhë.
Edhe shkollat e Shkodrës do të kenë tashmë të pranishme “Skuadrën e Trajnuesve të Ndihmës së Parë”, të certifikuar, të aftë për të trajnuar nxënës në ofrimin e Ndihmës së Parë në raste urgjente.
Pas trajnimit dhe marrjes së Certifikatave si njohës i dhënies së Ndihmës së Parë, 24 nxënësit më të mirë të 10 shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në Shkodër, ku Malteser Shqipëri ka mbajtur trajnimet e Ndihmës së Parë, janë prezantuar dhe certifikuar si skuadër e trajnuesve të Ndihmës së Parë në shkolla.Shkollat pjesëmarrëse në projektin e Malteser Shqipëri “Trajnimi i Ndihmës së Parë” përzgjedhur nga Drejtoria Arsimore Rajonale Shkodër ishin: shkollat 9-vjeçare “Mati Logoreci”, “Dëshmorët e Prishtinës”, “Shpresa për të Ardhmen”, “Maria Ndihmëtare”, “Prenk Jakova”, “Zemra e Krishtit” dhe shkollat e mesme “Shejnaze Juka”, “Maria Ndihmëtare”, “Prenk Jakova” dhe “Peter Maringhen” me gjithsej 195 nxënës të trajnuar të cilët janë të aftë të ofrojnë Ndihmën e Parë në raste urgjente.
Shpërndarja e Certifikatave u bë më 3 qershor, në ambientet e shkollës Zemra e Krishtit, pasi përfaqësuesja e Malteser Shqipëri bëri një prezantim të shkurtër të Urdhrit të Maltës, të Organizatës Malteser Shqipëri dhe të Vullnetarizmit e aktiviteteve të vullnetarëve në Malteser, veçanërisht të bashkëmoshatarëve të nxënësve.
Certifikatat iu shpërndanë nxënësve nga përfaqësuesja e Malteser Shqipëri dhe drejtoresha e Shkollës “Zemra e Krishtit”, Motër Arcangela Loverre.
Malteser Shqipëri, e cila ka organizuar dhe zbatuar projektin “Trajnimi i Ndihmës së parë në shkolla” për shkollat e qytetit të Shkodrës dhe Lezhës i ka përfunduar plotësisht të gjitha aktivitetet e parashikuara për vitin e parë të këtij projekti. Janë trajnuar gjithsej 280 nxënës për të qenë të aftë në ofrimin e Ndihmës së Parë dhe 40 nxënës si Trajnues në dhënien e Ndihmës së Parë për nxënësit e shkollave të tyre. Këta nxënës, pjesëtarë të Skuadrës së Trajnuesve të Ndihmës së Parë do të asistohen në trajnimet e tyre të para nga Malteser Shqipëri.Malteser falënderon Porticus, për mbështetjen financiare të projektit, Drejtoritë Arsimore Rajonale të qytetit Shkodër e Lezhë për përzgjedhjen e shkollave, drejtorët dhe mësuesit e shkollave përkatëse për mbështetjen dhe ndihmesën e dhënë, si dhe vullnetarët e Malteser për përkushtimin e tyre në këtë projekt.
