Ditën e diel, më 16 shtator 2012, në kishat e Kryedioqezës së Shkodër-Pult, të Dioqezës së Sapës dhe të Dioqezës së Lezhës, besimtarëve u është bërë e ditur, paraprirë edhe nga një letër, dekreti i shkishërimit të atyre personave, katolikë, të cilët bëjnë vrasje, apo bashkëpunojnë e ndihmojnë që ajo të ndodhë. Ky dekret është bërë i njohur edhe nëpërmjet mediave.
“Meqenëse e ndiejmë thellë përgjegjësinë tonë si Barinj të Kishës që është në Shkodër, në Sapë e në Lezhë dhe na duhet t’i mbrojmë bashkësitë e krishtera nga çfarëdo rreziku, pasi jemi këshilluar me bashkëpunëtorë dhe ekspertë si dhe me ata që kanë rënë drejtpërdrejt në kontakt me këto episode, me qëllim që të arrihet pendimi i vrasësve dhe zbutja e zemrave të të gjithë njerëzve në mënyrë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më
DEKRETOJMË
Se kushdo që bën një vrasje ose bashkëpunon që ajo të bëhet ose ndihmon në mënyrë të qëllimshme që ajo të ndodhë, në bazë të nenit 1331 të Kodit të së Drejtës Kanonike ndëshkohet me shkishërim (d.m.th. ekskomunikim).
Prandaj, në bazë të të njëjtit nen 1331
D E K L A R O J M Ë
Se i shkishëruari
1. Nuk mund të marrë pjesë në kremtimet e Kishës
2. Nuk mund të marrë Sakramentet (rrëfimin, kungimin, krezmimin, kurorën e shenjtë, urdhrin e shenjtë)
3. Nuk mund të marrë sakramendoret, si funeralin dhe varrimin e krishterë në varrezat katolike.
Në bazë të nenit 1335 kujtojmë se: “Nëse ndëshkimi ndalon kremtimin e sakramenteve…, ndalesa pezullohet nëse kjo është e nevojshme për t’u kujdesur për besimtarët që gjenden në rrezik vdekjeje”.
Dera e Kishës do të jetë gjithmonë e hapur për ata që, të goditur nga ky dekret dhe nga ndëshkimet e parapara prej tij, pendohen dhe, duke e ndryshuar mendësinë e tyre të vrasjes, duan të kthehen në bashkim të plotë me Hyjin dhe me Kishën. Ata duhet ta shfaqin konkretisht qëllimin e tyre real për ndryshim duke zbatuar kushtet që vijojnë:
1. Ta shfaqin publikisht pendimin e tyre
2. Ta ndreqin padrejtësinë e bërë
3. Ta kryejnë dënimin e paraparë prej ligjit
4. Të marrin faljen nëpërmjet rrëfimit sakramental”
Kjo deklaratë është firmosur nga Arqipeshkvi i Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra, Ipeshkvi i Sapës Imzot Lucjan Avgustini, Ipeshkvit të Lezhës Imzot Ottavio Vitale RCJ dhe kancelarëve Atë Artan Seli SDS, Dom Robert Kola dhe Atë Flavio Cavallini OFM.