Në kremtime merr pjesë Delegati i Papës, Kardinali Santos Abril y Castelló
Dioqeza e Sapës vazhdon kremtimet me rastin e Jubileut të 950-vjetorit të themelimit të saj, kremtime të cilat kanë filluar më 6 janar, ditën e festës së Epifanisë. Në këto kremtime mori pjesë edhe Delegati i Papës, kardinali Santos Abril y Castelló.
Pas vizitave qeveritare, kardinali Santos Abril y Castelló do ta hapte programin qendror të kremtimeve të Jubileut, të enjten në mbrëmje më 27 shtator, në festën liturgjike të shën Mëhillit Kryengjëll, në Katedralen “Nënë Tereza” në Laç Vau-Dejës, në lutjen e mbrëmësores, takimin me meshtarë, rregulltarë e rregulltare dhe bekimin e ndërtesës së Kurias Ipeshkvnore të Sapës.Më 28 shtator u mbajt Simpoziumi Shkencor me titull “Dioqeza e Sapës përgjatë shekujve”. Pasdite u bë bekimi i Qendrës së re shëndetësore në Nënshat, qendër e cila i është besuar Malteser Ndihmon në Shqipëri dhe shugurimi i Kishës së re kushtuar Shën Mëhillit, e cila i është besuar bashkësisë së vëllezërve françeskanë Kapuçinë.
Ditën e shtunë, më 29 shtator, aktiviteti kryesor i Jubileut, ishte kremtimi i Meshës së shenjtë në Katedralen “Nënë Tereza” në Laç Vau-Dejës. Ishin të pranishëm edhe Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Znj. Jozefina Topalli, ministra e deputetë, drejtues e përfaqësues të pushtetit. 

Malteser Shqipëri ishte pjesë e organizimeve të aktiviteteve bashkë me stafin e vullnetarët e vet dhe me shërbimin e
skuadrës së Ndihmës së Parë.
skuadrës së Ndihmës së Parë.
Dioqeza e lashtë shqiptare e Sapës e ka selinë e vet në Vau Dejës. Duke iu referuar të dhënave që jep Annuario Ponteficio, viti i themelimit të dioqezës së Sapës është viti 1062. Qyteti i hershëm i Sapës është zhdukur nga faqja e dheut, kanë mbetur vetëm rrënojat e Kishës Katedrale të Shën Mëhillit. Kjo për arsye të luftërave dhe pushtimeve që ka pësuar populli dhe vendi ynë. Në fillim e rrënuan tartarët rreth vitit 1240, pastaj më vonë osmanët por edhe fatkeqësitë natyrore, tërmetet. Por, selia ipeshkvnore e Sapës ka arritur të mbijetojë gjatë të gjitha vështirësive.
