Një numër i madh i fëmijëve në botë bëjnë punë që paguhet apo jo dhe janë veçanërisht pre e shfrytëzimit. Puna e tyre shpesh fshihet nga syri i njerëzve dhe mund të jenë të izoluar, ose larg shtëpive të tyre.
Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka caktuar Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve në 2002, për t’i kushtuar vëmendje shtrirjes globale të punës së fëmijëve dhe përpjekjeve që duhen bërë për ta eliminuar atë.
Çdo vit më 12 qershor, Dita Botërore mbledh së bashku qeveritarë, punëdhënës dhe organizata të punëtorëve, shoqërinë civile, si dhe miliona njerëz nga e gjithë bota për të nxjerrë në pah gjendjen e vështirë të fëmijëve punëtorë dhe se çfarë mund të bëhet për t’i ndihmuar ata.
Dita Botërore 2014 bëri thirrje për:
– Veprimtari për të prezantuar, përmirësuar dhe përhapur mbrojtjen sociale.
– Sisteme sigurie kombëtare që janë të ndjeshme ndaj nevojave të fëmijëve dhe për të ndihmuar luftën kundër punës së fëmijëve.
– Mbrojtje sociale që arrin veçanërisht grupet vulnerabël të fëmijëve.
Duke qenë të vetëdijshëm se fëmijët në rrugë janë pjesë e grupeve më vulnerabël dhe pjesa më e madhe e të drejtave të tyre shkelen, duke parë që kryesisht fëmijët Romë dhe Egjiptianë jetojnë në kushte të papranueshme fizike, sociale dhe psikologjike, që nuk shkojnë në shkollë dhe shpesh janë subjekt i formave të ndryshme të abuzimit dhe shfrytëzimit, Malteser Shqipëri ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh sensibilizuese kundër punës së fëmijëve.
Këto aktivitete kanë konsistuar në takime formimi joformale me Romë dhe Egjiptianë në zyrat e Malteser, në biseda mbi shembujt e mirë në komunitetet e tyre, mbi nxënësit më të mirë të shkollës “Beato Zefferini” etj.
Një aktivitet tjetër ishte ndarja e Certifikatave të Ndihmës së Parë për nxënësit të cilët kanë ndjekur Trajnimin e Ndihmës së Parë. Ata janë një shembull i mirë për shokët e shkollës.
