

Edhe këtë vit në ditën e Zojës së Lurdit, gjatë së cilës kremtohet “Dita e të sëmurëve”, të gjitha kishat famullitare organizuan Meshën në të cilën morën pjesë veçanërisht të sëmurët.
Më 11 shkurt, u organizua një kremtim i veçantë për të sëmurët e dioqezës Shkodër-Pult. Të gjithë të sëmurët ishin të ftuar që të merrnin pjesë në një festë të organizuar tek “Misionaret e Bamirësisë” Nënë Tereza. Ata shoqëroheshin nga familjarët e tyre, motrat e kongregatave të ndryshme dhe nga njerëz që punojnë me organizata të cilat merren me të sëmurë, si “shtëpitë-familje” etj. Dy aktorë dhe disa fëmijë që jetojnë tek shtëpia e Motrave të Nënë Terezës kënduan dhe aktruan për më shumë se një orë në një shfaqje të thjeshtë dhe për të gjithë të pranishmit u ofruan ushqim e pije.
Pastaj famullitari pati kënaqësinë që t’i ftonte të gjithë njerëzit për të shtegtuar drejt Katedrales për Meshën e Shenjtë.
Mesha u kremtua nga Shkëlqesia e Tij Imzot Angelo Massafra në bashkëkremtim me shumë meshtarë të tjerë. Në fund të Meshë, besimtarët morën bekimin me të Shenjtërueshmin Sakrament.
Kjo Meshë u kremtua në një kohë kur Katedralja e Shkodrës feston 150 vjetorin e ndërtimit të vet dhe Papa Benedikti XVI e ka shpallur këtë kohë si Viti Jubilar për këtë dioqezë; kështu në fund u bënë disa lutje që besimtarët e pranishëm të mund të merrnin Ndjesën e Plotë.
Nëntë vullnetarë dhe anëtarë të stafit morën pjesë gjatë këtij aktiviteti dhe ishin në shërbim dy makina.