Shenjtëroja e Shën Antonit, në Laç të Kurbinit, është shenjtërorja më e vizituar në Shqipëri nga mijëra njerëz të besimeve të ndryshme të cilët i drejtohen këtij vendi për t’iu lutur Shën Antonit për mrekulli shërimi të shpirtit e të trupit, veçanërisht gjatë 13 të martave që paraprijnë festën e tij më 13 qershor. Shtegtarët vijnë nga të katër anët e Shqipërisë e vendeve të tjera, fëmijë e të rritur, të shëndoshë e të sëmurë.

Më 16 maj, shenjtërorja priti grupin e personave me aftësi ndryshe dhe të moshuar, të drejtuar nga 5 vullnetarë të Malteser dhe M. Cristiana, Françeskane Misionare e Zemrës së Krishtit.
Vullnetarët e Malteser i ndihmuan personat me aftësi ndryshe dhe të moshuarit që të ngjiteshin në Shenjtëroren e Shën Antonit, të luteshin e të merrnin pjesë në Meshën e Shenjtë.
Ky shtegtim, tashmë traditë e përvitshme e aktiviteteve të Malteser, jo vetëm që u jep mundësi personave me aftësi ndryshe e të moshuarve ta prekin vendin e shenjtë, por i ndihmon edhe vullnetarët e Malteser që të rriten e të frymëzohen shpirtërisht si besimtarë, dhe të veprojnë sipas motos: “Dëshmia e besimit dhe ndihma e nevojtarëve”.