Viti 2010 është shpallur si viti i të Lumes Nënë Tereza, pikërisht me rastin e 100- vjetorit të lindjes së saj. Aktivitete të shumta janë zhvilluar si në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, për të përkujtuar jetën dhe veprën e jashtëzakonshme të kësaj Nëne, e cila e vuri plotësisht jetën e saj në shërbim të Zotit dhe më të varfërve ndër të varfër. Mes këtyre aktiviteteve, ato që do të mbahen mend më gjatë në kujtesën e atyre që e përshkuan këtë Vit Jubilar janë kremtimi i Meshës së Shenjtë në Katedralen “E Lumja Nënë Tereza” në Laç Vau i Dejës, pikërisht më 26 gusht, në ditëlindjen e 100të të Nënë Terezës, dhe kremtimi i Meshës së Shenjtë në Katedralen akoma të papërfunduar kushtuar Nënë Terezës në Prishtinë, më 5 shtator, në 13-vjetorin e vdekjes së saj.
Ndërtimi i Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, do të fillonte të merrte jetë 5 vjet më parë me ceremoninë e
vendosjes së gurthemelit, më 26 gusht 2005, në 95-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, nga Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, bashkë me Ipeshkvin e atëhershëm të Kosovës, Imzot Mark Sopi dhe arqipeshkvin e Uashingtonit, Imzot Teodor Mek-Keret, me shpresën se në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, kjo katedrale do të ishte mikpritëse në kremtimin e Meshës së Shenjtë kushtuar asaj.
Data 5 shtator do të ishte përmbushja e kësaj dëshire. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, përfaqësues të shumtë të klerit katolik, përfaqësues të Kishës Ortodokse, të bashkësisë islame të Kosovës, të institucioneve vendase si dhe ambasadorë e përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, besimtarë të panumërt, morën pjesë në Meshën e Shenjtë me të cilën zyrtarisht u hap Katedralja, e cila mban emrin “Nënë Tereza”, të udhëhequr nga i dërguari i Papës, arqipeshkvi i Tivarit, Imzot Zef Gashi, i cili ndër të tjera do të thoshte: “Në këtë tokë të Kosovës, ku para shumë dekadash Hyji i ka folur shpirtit të Nënë Terezës, sot ngritet kjo Katedrale kushtuar Nënë Terezës. Në këtë Katedrale do të kumbojë fjala e ungjillit, pa të cilën nuk është e mundur ta mendojmë Nënë Terezën”.
Para të pranishmëve fjalën e rastit e mbajtën edhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji; në emër të institucioneve të Kosovës, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe kryetari i bashkësisë së Fesë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava.
Në këtë solemnitet morën pjesë edhe 12 vullnetarë dhe 2 anëtarë të stafit të Malteser Shqipëri, për të ofruar njëkohësisht edhe asistencë në Ndihmën e Parë Mjekësore. Ftesa e pjesëmarrjes në këtë solemnitet u është bërë përmes Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili deri në fundvitin e 2006 ka shërbyer si ipeshkëv i Sapës dhe i njeh shumë mirë strukturën dhe aktivitetet e Malteser në të gjitha fushat e saj, veçanërisht në fushën mjekësore në ofrimin e Ndihmës së Parë.