Këto fjalë i shqipton çdo kandidat në momentin që e pranon urdhrin e shenjtë të meshtarisë për t’i shërbyer Hyjit përmes popullit të tij deri në vdekje teksa qëndron i shtrirë përtokë në shugurimin e tij para Ipeshkvit e bashkëvëllezërve të tij.
“Ja ku jam” është përgjigjur edhe Dom Genc Tuku, meshtar i famullisë “Lindja e Zojës” në Dejë ditën e diel më 16 shtator, në orët e para të ditës, ndërkohë që edhe pak do të bëhej gati për të kremtuar Meshën e shenjtë me besimtarët e vet. Por kësaj radhe, kjo përgjigje do të jepej në heshtje, për ta takuar Hyjin në banesën e Tij të amshuar.
Dom Genc Tuku u lind më 6 qershor 1975 në Troshan. Mësimet e para i mori në vendlindje e dy vite të shkollës së mesme në Blinisht. Për katër vite studioi në gjimnazin pranë Etërve Jezuitë e më pas, i bindur për të ndjekur rrugën e meshtarisë, ndoqi 2 vitet filozofisë dhe 4 vitet e teologjisë pranë seminarit “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër. U shugurua diakon më 14 shtator 2001 në Kishën “Lindja e Zojës” në Troshan dhe meshtar më 29 qershor 2002 në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër. Pas shugurimit shërbeu në famullinë “Lindja e Zojës” në Dejë, por edhe në shumë famulli të tjera si “Shën Gjon Bosko” në Shelqet, “Shna Prendja” në Grash, “Zoja Rruzare” në Gjegjan e në shumë zona të tjera të dioqezës së Sapës. Ishte përgjegjës për thirrjet në dioqezën e Sapës dhe për Rininë Dioqezane dhe për më se 6 vite udhëhoqi edhe Shoqatën Kombëtare “Kolping”.
Më 16 shtator, dom Genc Tuku ndërroi jetë si pasojë e një ataku kardiak. Mesha e Lamtumirës si famullitar u kremtua në famullinë e Dejës dhe Mesha e Salikimit në vendlindjen e tij në Troshan.
