3 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, shpallur që në vitin 1992 nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara. Aktivitetet e kësaj dite kanë si qëllim rritjen e mëtejshme të ndërgjegjësimit për aftësinë e kufizuar, për të theksuar që duhet të ketë barazi në pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri.
Fëmijët e kopshtit Malteser, në mesin e të cilëve mësojnë edhe fëmijë me aftësi ndryshe, kanë organizuar një aktivitet të cilin e kanë shfaqur për vajzat me aftësi ndryshe të cilat jetojnë tek “Misionaret e Bamirësisë Nënë Tereza” në Shkodër. Ata kanë recituar, kënduar, aktruar dhe luajtur lojëra të ndryshme, me dëshirën e mirë për të treguar se çdo fëmijë është i barabartë me shokët e tyre, pavarësisht kufizimeve që ata mund të kenë. Fëmijët kanë paraqitur edhe punime të realizuara prej vetë atyre.



