Rrugët e qytetit kanë veshur uniformën festive të nëntorit. Flamujt kuq e zi valëviten nga era e ftohtë e dimrit, një ftesë për të përkujtuar me krenari Ditën e Pavarësisë. Ata që e ndjejnë edhe më shumë këtë atmosferë janë fëmijët e kopshteve dhe të shkollave, të cilët i kanë kthyer klasat e tyre në skena teatri.
Fëmjët e të dy grupeve të kopshtit Malteser, mes gëzimit dhe emocionit, kanë performuar para prindërve e mësueseve të tyre. Kënga, vallja, recitimet, dramatizimet me temën e festës së pavarësisë janë kombinuar thjeshtë dhe këndshëm me veshjet e tyre kuq e zi. Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini dhe Marigoja janë interpretuar aq bukur nga aktorët e vegjël, të cilët për disa orë janë ndjerë të rritur dhe të rëndësishëm.
Edhe fëmijët Romë dhe Egjiptianë, nën kujdesin e vullnetarëve të Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës, janë mbledhur te Qendra Malteser për Komunitetin Rom dhe Egjiptian.
Në fillim ata kanë vizatuar dhe ngjyrosur flamujt e kapelet, kanë zbukuruar ambientin e më pas kanë vazhduar me festën e tyre me këngë, recitime e kërcime.