Dr. Anita Zacharias, pediatre dhe Dr. Monika Aly, terapiste, nga Gjermania, janë ftuar për të dytën herë nga Qendra e Këshillimit dhe Shërbimit Malteser, për të referuar në seminarin “Fëmijët në spektrin e autizmit”, i cili është organizuar nga Malteser Shqipëri, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër.

Ky seminar u mbajt me qëllim që t’u vijë në ndihmë evidentimit sa më të hershëm të rasteve si dhe rrugët e mënyrat më të mira të trajtimit më të mirë të fëmijëve të spektrit autik.
Dy ditët e para ishin kryesisht teorike, ku referueset folën mbi autizmin, tiparet tipike, diagnostifikimin, çfarë lloj terapie duhet të ndiqet, programi TEACCH (Trajtimi dhe edukimi i Autizmit dhe Komunikimi i Lidhur – Fëmijët me aftësi ndryshe), sjelljet problematike dhe cila mbështetje është e dobishme, komunikimi dhe emocionet.
Dita e tretë ishte shumë intensive. Dy referueset u prezantuan pjesëmarrësve raste konkretë për t’i analizuar dhe ofruan këshilla se si duhen trajtuar fëmijët autistë në vendet e tyre të punës (kopshte, shkolla, qendra shëndetësore). Pjesa e dytë e ditës u mbajt në zyrat e Malteser, me këshillime me prindër dhe fëmijë, ku u ekzaminuan 8 fëmijët të cilët trajtohen në Qendër.
Në fund pjesëmarrësve iu shpërndanë Certifikatat e pjesëmarrjes.
Pas Seminarit, Dr. Anita Zacharias dhe Dr. Monika Aly u mirëpritën nga Kryetari i Bashkisë, Z. Lorenc Luka, i cili u shprehu mirënjohjen e vet. Ato gjithashtu u falënderuan edhe nga Malteser Shqipëri që vullnetarisht pranuan ta drejtojnë këtë seminar të dobishëm për të dytën herë.