Dr. Anita Zacharias, pediatre dhe Dr. Monika Aly, terapiste, nga Gjermania, janë ftuar për të tretën herë nga “Qendra e Këshillimit dhe Shërbimit Malteser”, për të referuar në seminarin “Fëmijët në spektrin e autizmit”, i cili është organizuar nga Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër.
Ky seminar trajnues, u mbajt në datat 15 – 17 Maj 2016, me pjesëmarrjen e rreth 17 personave të interesuar të profesioneve të ndryshme.
Ky seminar u mbajt me qëllim që t’u vijë në ndihmë evidentimit sa më të hershëm të rasteve si dhe rrugët e mënyrat më të mira të trajtimit më të mirë të fëmijëve të spektrit autik.
Dy ditët e para të trajnimit ishin të ndërthurura me pjesën teorike dhe atë praktike. Ne teori, referueset folën mbi autizmin, tiparet tipike, diagnostifikimin, çfarë lloj terapie duhet të ndiqet, programi TEACCH (Trajtimi dhe edukimi i Autizmit dhe Komunikimi i Lidhur – Fëmijët me aftësi ndryshe), sjelljet problematike dhe cila mbështetje është e dobishme, komunikimi dhe emocionet.
Në pjesën e praktikës dy referueset i prezantuan pjesëmarrësit me raste konkrete për t’i analizuar dhe ofruan këshilla se si duhen trajtuar fëmijët autikë në vendet e tyre të punës (kopshte, shkolla, qendra shëndetësore). Në ditën e tretë, e cila u mbajt në zyrat e Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës, trajneret ofruan këshillime me prindër dhe fëmijë; u ekzaminuan 5 fëmijë, disa prej të cilëve trajtohen në Qendër.
Në fund pjesëmarrësve iu shpërndanë Certifikatat e pjesëmarrjes.
Pas Seminarit, Dr. Anita Zacharias dhe Dr. Monika Aly u falënderuan nga Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës, të cilat vullnetarisht pranuan ta drejtojnë këtë seminar të dobishëm për të tretën herë.