Katedralja “Nënë Tereza” në Vaun e Dejës, në Meshën e së dielës së 6 korrikut, ka mirëpritur, përveç besimtarëve të panumërt, edhe Nuncin Apostolik, Imzot Ramiro Moliner Ingles, Imzot Zef Gashin, ipeshkëv i Malit të Zi, Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarin e Bashkisë Vau-Dejës, autoritete të larta etj.
Me propozim të Këshillit Bashkiak të Vaut të Dejës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, i shoqëruar nga zonja e parë, Odeta Nishani, dekoroi me titullin e lartë “Nënë Tereza” Imzot Lucjan Avgustinin, Ipeshkëv i Sapës dhe president i Malteser Shqipëri, me motivacionin “Në nderim të veprimtarisë së vazhdueshme dhe të çmuar për bamirësi dhe ndihmesën e veçantë në harmoninë ndërfetare, duke forcuar solidaritetin e shoqërisë dhe vlerat bashkëpunuese”.

