Janë këto fjalë të cilat kanë shoqëruar ftesën me rastin e hapjes së Shtëpisë së Bamirësisë në Laç Vau-Dejës më 6 shtator 2012.






Ceremonia e rastit filloi me Meshën e shenjtë në ora 10.00, të udhëhequr nga Shkëlqesia e Tij Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrës, në bashkëkremtim me Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv i Shkodër-Pult, Imzot Lucjan Avgustini, Ipeshkvi mikpritës i Laç Vau-Dejës dhe president i Malteser Shqipëri, Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës, Imzot Zef Gashi, Ipeshkëv i Tivarit, Imzot Lorenzo Ghizzoni, Ipeshkëv ndihmës i Reggio Emilia-Guastalla, Atë Gazmend Tinaj, Provinciali i Fretërve Minorë dhe Drejtues Shpirtëror i Malteser Shqipëri dhe shumë meshtarë të tjerë të dioqezës.
Në fillim të kësaj Meshe, Imzot Avgustini i falënderoi të gjithë ata të cilët bënë të mundur hapjen e Shtëpisë së Bamirësisë, e veçanërisht Motrat Karmelitane të Vogla, të cilat kanë ardhur nga Italia për të shërbyer në këtë Shtëpi për persona me aftësi të kufizuar dhe të moshuar. Ky inaugurim bëhej në 950-vjetorin e Dioqezës së Sapës dhe në përvjetorin e Shugurimit të Katedrales që mban emrin e së Lumes Nënë Tereza.
Pas Meshe, u bë edhe bekimi i shtëpisë nga Imzot Lorenzo Ghizzoni. Me pas të gjithë të pranishmit u ftuan të hanë drekë së bashku.
Gjatë krejt ceremonisë ishin të pranishëm edhe stafi dhe vullnetarët e Malteser Shqipëri bashkë me skuadrën e Ndihmës së Parë dhe një autoambulancë.