Koha e Ardhjes është një kohë përgatitjeje për ta festuar sa më denjësisht festën e Krishtlindjes. Kjo kohë është edhe e mbushur me aktivitete të shumta per anëtarët e Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës.
Por përveç aktiviteteve të shumta në shërbim të personave në nevojë, stafi dhe vullnetarët e kësaj Organizate janë mbledhur së bashku më 8 dhjetor, në festën e Zojës së Papërlyer, për një përgatitje personale shpirtërore dhe një festim me njëri-tjetrin.
Gjatë këtij takimi, Ati shpirtëror i Organizatës, Fra Gazmend Tinaj, u ka kujtuar të pranishmëve historikun e festës, e sidomos me mesazhin që vjen nga jeta e përvujtë dhe e thjeshtë e Virgjërës Mari. Më 8 dhjetor 1854 Papa Piu IX, me fjalë thellësisht solemne, shpalli dogmën e të Zënit të papërlyer të Marisë.
Më pas është vazhduar me lutje të përbashkëta dhe një darkë modeste në ambjentet e zyrës së Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës.