Në këtë kamp morën pjesë 150 fëmijë Rom dhe Egjiptian, fëmijë të zonave rurale si dhe fëmijë nga Shkreli, Dedaj, Fierza (zona e Tropojës) dhe një grup prej 9 të rinjsh nga famullia e Rrëshenit.
Fëmijët pjesëmarrës ishin nga familje me probleme sociale dhe ekonomike.
Në kamp fëmijët janë ndarë në tre turne, 50 fëmijë për turn, i cili ka zgjatur 9 ditë dhe 15 vullnetarë shqiptarë, të cilët kanë realizuar aktivitetet. Edhe këtë vit qëllimi i projektit ishte integrimi i fëmijëve Rom, Egjiptian dhe atyre që vijnë nga zonat rurale në jetën sociale dhe t’u japë atyre mundësinë për të bërë pushime verore, në pamundësi për të bërë pushime me familjarët e tyre për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale. Si çdo vit tjetër, kampi është instaluar me tenda nga vetë vullnetarët.
Vullnetarët e Malteser Shqipëri së bashku me motër Dila e motër Vangji nga famullia e Fierzës dhe vullnetarët gjermanë të cilët qëndruan për 10 ditë, ndihmuan në realizimin e aktiviteteve sipas planit. Të gjithë vullnetarët lehtësuan aktivitetet e kampit duke ndihmuar në kuzhinë, pastrim,sistemim dhe mirëmbajtjen e logjistikës, në ofrimin e shërbimit dhe të kujdesit të fëmijëve.
Më 27 korrik në Kampin Malteser u kremtua një Meshë nga Atë Gazmend Tinaj, drejtuesi shpirtëror i Malteser dhe pas Meshe u kalua në një atmosfere festive. Për të pranishmit ishte përgatitur një shfaqje “Malteser got talents” i ideuar dhe realizuar nga fëmijët dhe vullnetarët.
Malteser Shqipëri i është shumë mirënjohëse për mbështetjen tyre: Malteser Hilfdienst, grupit të famullisë së Neuss/Gjermani “Hilfe fur Albanien” St. Cyriakus-Neuss-Grimlinghausen dhe veçanërisht vullnetarëve cilët ndihmuan në realizimin e Kampit dhe vullnetarëve gjermanë Oliver Pfifer, i cili ka gatuar për të gjithë pjesëmarrësit për një javë, Shary Reeves dhe Lea Hromada të cilat kanë punuar vullnetarisht në kampin Malteser.