
Kampi-shkolla verore – Velipojë 2006 do të zhvillohet më 15 qershor – 15 korrik. Do të marrin pjesë 150 fëmijë Romë dhe fëmijë nga zonat e thella malore, si Bogë, Bratosh, Sheldi dhe Gomsiqe, familjet e të cilëve jetojnë në varfëri. Kampi do të organizohet në tre ndarje kohore me nga 10 ditë. Çdo grup do të përbëhet nga 50 fëmijë, 15 vullnetarë dhe stafi i kampit do të përbëhet nga menaxheri, dy trajnues, mjeku, shoferi dhe kuzhinierja.
Fëmijët do të ndjekin programin edukues dhe zbavitës. Malteser Shqipëri do t’u ofrojë transportin që nga familjet deri në kamp, ushqimin dhe akomodimin.
Kampi do të ngrihet nga vullnetarët e Malteser Shqipëri, e cila do të ofrojë edhe logjistikën. Vullnetarët do të asistojnë instruktorët sipas agjendës së aktiviteteve. Vullnetarët do të ndihmojnë në pastrimin, sistemimin dhe mirëmbajtjen e logjistikës dhe do të kujdesen për fëmijët. Nën drejtimin e mjekut ata do të drejtojnë tema lidhur me higjenën dhe ndihmën e shpejtë.
Malteser Shqipëri do të përfshijë Njësinë e Kujdesit Shëndetësor në ambientet e kampit nën drejtimin e një mjeku dhe një ambulancë do të jetë gjithnjë për të ofruar sigurimin mjekësor.
Në perspektivë projekti ka për qëllim që t’i integrojë fëmijët Romë dhe ata të ardhur nga zonat e thella malore në një jetë shoqërore, meqë kjo kategori është krejtësisht e përjashtuar. Prania e autoriteteve lokale pothuajse mungon krejtësisht. Projekti ka për qëllim që të rrisë nivelin edukues të pjesëmarrësve duke ofruar disa mësime sipas programit të aktiviteteve. Përmes përmbushjes me sukses të këtyre aktiviteteve, ne besojmë se këta fëmijë do të kultivojnë ndjenjën e vetë-vlerësimit dhe të vetë-sigurisë. Pjesëmarrja e këtyre fëmijëve në kamp do të bëjë që ata të shijojnë pushimet verore. Programi parashikon edukimin e fëmijëve përmes zbavitjes.
“Velipoja 2006” do t’i ndihmojë fëmijët që të zënë miq të rinj të moshës së tyre dhe të marrin përvojë nga vullnetarët e Malteser Shqipëri. Ata do të mund të qëndrojnë larg nga punët abuzuese të rrugëve të cilat i bëjnë për të mbështetur familjet e tyre. Metodologjia e përdorur për të mësuar përmes zbavitjes do t’i motivojë të gjithë fëmijët që të mund të rrisin pjesëmarrjen në shkollë. Ata mund të zhvillojnë komunikimin dhe të shprehurit e lirë të opinionit mes fëmijëve. Dëgjimi me kujdes, respekti dhe shoqërimi nga ana e vullnetarëve të Malteser Shqipëri do të bëjë që ata të rrisin vetëbesimin dhe të ulin ndjenjën e inferioritetit.