Me ardhjen e verës, Malteser Shqipëri ka organizuar për të 13-tin vit Shkollën-Kampin Veror në plazhin e Velipojës, i cili zgjat një muaj (1-27 korrik).
Si çdo vit, ky kamp veror mirëpret fëmijë Romë dhe Egjiptianë, fëmijë nga zonat rurale dhe u jepet mundësia që të shijojnë pushimet verore të cilat familjet e tyre nuk mund t’i përballojnë. Këta fëmijë vijnë nga prejardhje të varfër dhe të izoluar dhe kampi është një mënyrë e mirë për t’i integruar ata në jetën shoqërore.Pjesëmarrësit janë ndarë në tri turne, me 70 fëmijë dhe 10 vullnetarë për turn dhe sapo është mbyllur turni i parë. Tri motra Françeskane Misionare të Zemrës së Jezusit nga Tropoja po asistojnë fëmijët dhe po i ndihmojnë vullnetarët me aktivitete të ndryshme zbavitëse dhe mësimore të planifikuara më parë.
Para fillimit të Kampit, vullnetarët e Malteser kanë përgatitur territorin dhe kanë ngritur çadrat gjatë 28-30 qershorit. Edhe këtë vit një ndihmesë e madhe është ofruar nga Z. Gregorio Barberi, anëtar i Organizatës Italiane të Urdhrit të Maltës, i cili personalisht ka ardhur për të ndihmuar dhe për t’i drejtuar vullnetarët e Malteser Shqipëri në ngritjen e kampit.
