Fëmijët e Kopshtit “Malteser” kanë qenë pjesë e festimeve të Karnavaleve. Pjesa më e madhe e tyre kishin veshur kostume apo mbanin maska, të tjerë ishin me fytyra të pikturuara nga mësueset e tyre.
Ata i festuan Karnavalet së bashku me mësueset, duke kërcyer, duke luajtur e kënduar. Pjesa më e gëzueshme e ditës ishte, kur, së bashku, dolën në oborr dhe dogjën dordolecin, të cilin e kishin punuar bashkë me mësueset.
Karnavalet është një kohë festive në qytete në shumë shtete në botë dhe zë vend para kohës liturgjike të Kreshmëve, zakonisht gjatë muajit shkurt. Karnavalet përfshijnë zakonisht një festim publik apo paradë të kombinuar me numra cirku, maska dhe festë në rrugë. Shpesh njerëzit vishen me maska gjatë festimeve, që është një përmbysje e gjërave normale të jetës së përditshme. Nganjëherë kjo kohë mund të zgjasë nga disa ditë në disa javë.





