Klasat e kopshtit “Malteser” janë pushtuar nga ylberi shumëngjyrësh i festës së fundvitit. Qershori nuk sjell për ta vetëm festën fëminore, por edhe të mbylljes së vitit shkollor, edhe të përcjelljes së shokëve më të rritur, të cilët, në shtator, do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
24 fëmijë i kanë dhënë lamtumirën kopshtit të tyre, shokëve më të vegjël, përmes një atmosfere festive, të përgatitur me aq kujdes nga mësueset e tyre. Këngët, vallet, lojërat, recitimet, i kanë lënë vendin dramatizimeve “Borëbardha dhe 7 xhuxhat” dhe “Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra” të luajtur aq bukur nga aktorët e vegjël.
Festa është mbyllur me ceremoninë e marrjes së diplomave, hedhjes tradicionale të kapeleve në ajër dhe përqafimeve të përlotura e plot emocion të fëmijëve me njëri-tjetrin dhe mësueset e tyre.