
Më 26 mars, në qytetin e Shkodrës, u organizua, edicioni i katërt i aktivitetit “Lojëra Popullore Fest 2011”.
Ky aktivitet, kishte si qëllim që të pasuronte jetën e të rinjve dhe t’i njihte ata me traditat kombëtare me anë të përformimit të valleve, këngëve dhe lojërave popullore. Një risi e këtij aktiviteti ishte edhe gara e vrapimit “Vrapo për në kala Rozafa 3km”. Aktiviteti filloi në ora 10.00 me ceremoninë e hapjes në sheshin e pjacës dhe garën e vrapimit dhe vazhdoi në Kalanë Rozafa. Ndër të tjera ishte edhe ekspozita fotografike nga edicionet e mëparshme të

lojërave popullore, këndi i ushqimit tradicional, punëdore tradicionale etj.
Aktiviteti u organizua nga “The Door” me mbështetjen e Këshillit të Qarkut Shkodër, Bashkisë Shkodër, Komuna Qerret etj dhe ndër të tjerë, pati si pjesëmarrës trupa nga Komuna të Qarkut Shkodër, Bashkia Rubik dhe një trupë e veçantë vullnetarësh shqiptarë e norvegjezë që vinin nga Norvegjia.
Malteser Shqipëri, me kërkesën e “The Door”, asistoi me Shërbimin e Ndihmës së Parë gjatë gjithë aktivitetit. Ishin të pranishëm 3 vullnetarë dhe një autoambulancë.