Më 12 prill 2014 u zhvillua edicioni i 7-të i aktivitetit “Lojërat Popullore Fest 2014”, organizuar nga OJF “The Door”, e cila tashmë është shndërruar në një traditë për rajonin verior të Shkodrës. Këtë vit ky aktivitet u organizua për herë të parë në Amfiteatrin Natyror në Fermën Ekosociale Ana e Malit, Oblikë.
Lojërat Popullore Fest, është një aktivitet me karakter social-kulturor për të rinj, i cili synon që të pasurojë jetën e tyre, duke i njohur me traditat kombëtare me anën e performimeve të këngëve, valleve, lojërave popullore etj., me pjesëmarrës fëmijë dhe të rinj të cilët vijnë nga komunat dhe bashkitë brenda dhe jashtë vendit tonë.Aktiviteti filloi me garat e vrapimit 2,5 dhe 5 km nga Ura e vjetër e Bunës në Shkodër deri ne hyrje tek Fermën Ekosociale, pastaj vazhdoi me lojën popullore, vallet me motive folklorike, sfilatë me kostume tradicionale, dhe thyeje dore (për meshkuj e femra).
Krahas këtyre veprimtarive është bërë një xhiro me biçikleta nga Bar restorant San Francisko, Shkodër deri tek Ferma Ekosociale, Oblikë me distancën 8 km dhe është realizuar një panair biçikletash për biçikletën me te vjetër. Pati çmime të ndryshme dhe 400 rrënjë ullinj u mbollën në fermën Ekosociale Ana e Malit.
Me kërkesë të “The Door”, Malteser Shqipëri ishte e pranishme me shërbimin e Ndihmës së Parë gjatë krejt aktivitetit.
