Qyteti ynë, Shkodra, nuk njihet vetëm për përdorimin e shumtë të biçikletave, por edhe për lulet e shumëllojshme nëpër oborre e kopshte, të cilat janë simbol identifikimi për të. Ndaj, që në vitin 2006, çdo 6 maj, Shkodra e ka kthyer në traditë festën e luleve, apo të njohur ndryshe si dita e ripërtëritjes.
Autorët popullorë të qytetit të Shkodrës, i kanë kushtuar plot 150 tekste këngësh luleve, të cilat i gjen thuajse në çdo shtëpi shkodrane.
Ndonëse jo pushim zyrtar, për pjesën me të madhe te shkollave, kjo dite shoqërohet me ekskursione dhe aktivitete të tjera argëtuese. Festa më e madhe rezervohet në qendrën e qytetit, ku një program i madh artistik e argëtues organizohet me pjesëmarrjen e fëmijëve të kopshteve e të shkollave.
Këtë vit, pjesëmarrës të koncertit festiv të organizuar nga DAR kanë qenë edhe fëmijët e kopshtit Malteser. Të veshur me ngjyra pranverore dhe të zbukuruar me lule në kokë, ata kanë performuar në skenën pranverore me dy vjersha dhe kanë prezantuar punimet e tyre (lule të ndryshme shumëngjyrëshe, të punuar prej dorës së tyre, me ndihmën e edukatoreve.)


