Këtë të shtunë, Lezha jetoi një tjetër ritëm nga ditët e saj të zakonshme. Kudo ndihej frymëmarrja rinore. Të rinj katolikë prej dioqezave të ndryshme të Shqipërisë, të drejtuar prej meshtarëve, motrave apo rregulltarëve, vërshuan që herët në mëngjes në stadiumin e Lezhës për të festuar Ditën Kombëtare të Rinisë Katolike.
Ishin të pranishëm Nunci Apostolik, Shkëlqesia e Tij Imzot Ramiro Moliner Inglés ,Arqipeshkvi i Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra, Ipeshkvi i Sapës dhe President i Malteser Shqipëri, Imzot Lucjan Avgustini, Ipeshkvi i Lezhës Imzot Ottavio Vitale dhe Ipeshkvi i Rrëshenit Imzot Cristoforo Palmieri.Kremtimi u hap me përshëndetjen e Don Roberto Ferranto, përgjegjës i Rinisë Katolike Shqiptare, i cili ftoi në përshëndetjen e vet Kryetarin e Bashkisë Lezhë, Z. Viktor Tusha.
Vijuan përshëndetjet e Imzot Vitales dhe Imzot Inglés, të cilat pasuan me performancat organizuar me këtë rast: grupi muzikor katolik i Beratit “Uznova” me disa këngë dhe pjesë instrumentale, grupi “Ambasadorët e Paqes” me pantomima te ndryshme, etj. I ftuar ishte edhe këngëtari Vedat Ademi, i cili këndoi disa këngë të repertorit të vet.Në fund Imzot Massafra bëri mbylljen e kësaj dite, duke cituar fjalët e Papa Françeskut që rinia është e tashmja dhe e ardhmja e vendit.
Rinia Malteser ishte pjesë e këtij aktiviteti. E pranishme ishte edhe ambulanca e Malteser bashkë me Skuadrën e Ndihmës së Parë.
