Koha e Kreshmeve është një kohë e veçantë lutjeje, pendese, flijimi dhe veprash të mira në përgatitje për kremtimin e Pashkëve. Kisha i fton besimtarët gjatë shtatë javëve të Kreshmëve që të përgatiten për kremtimin e madh, ndërsa janë të thirrur që t’i kushtohen agjërimit, lutjes dhe lëmoshës. Një hapësirë e rëndësishme u kushtohet veprave shpirtërore si Udhës së Kryqit, Meshës së Shenjtë, lutjes personale dhe veprave të tjera të mira.

Këtë vit Udha e Kryqit, e organizuar nga grupi rinor i Katedrales së Shkodrës “Mësues ku banon”, në bashkëpunim me të gjitha grupet rinore të Dioqezës, u mbajt ditën e shtunë më 15 mars dhe fëmijë, të rinj dhe besimtarë të të gjitha moshave nga Shkodra dhe fshatrat përreth, të shoqëruar nga meshtarë e motra, iu ngjitën malit të Taraboshit për të kujtuar Mundimet e Jezusit dhe për të lutur 14 ndalesat e Udhës së Kryqit.
Lutja e Udhës së Kryqit filloi në ora 9.00 me përshëndetjen e famullitarit Dom Gjovalin Sukaj dhe u mbyll me lutjen përfundimtare nga Shkëlqesia e Tij Imzot Angelo Massaffra, Arqipeshkëv i Shkodrës.
Stafi dhe vullnetarët e shumtë të Malteser morën pjesë në këtë Udhë dhe tre vullnetarë të Malteser lutën ndalesën e 9të “Jezusi bie nën kryq për të tretën herë”.