Dita ndërkombëtare e personave me aftësi ndryshe (të kufizuar), është një përkujtim i cili u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1992.

Në kuadër të kësaj dite, Qendra e Këshillimit dhe e Shërbimit Malteser, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, Projektin “Shpresa”, Qendrën e Zhvillimit dhe shkollat “Branko Kadia”, “Zemra e Krishtit”, Mati Logoreci” e “Shpresa për të Ardhmen” dhe të rinjtë vullnetarë të Malteser, organizoi në Kinema “Millenium” aktivitetin “Një ditë së bashku”.
Ky aktivitet ishte një shfaqje në të cilën interpretuan këngë, recitime dhe valle, jo vetëm fëmijët e shkollave pjesëmarrëse, por edhe personat me aftësi ndryshe të cilët jetojnë tek Shtëpia Misionaret e Bamirësisë Nënë Tereza, tek Projekti “Shpresa” dhe “Qendra e Zhvillimit”. Dy kloun të ftuar, e rritën argëtimin dhe entuziazmin e pjesëmarrësve me disa lojëra të shoqëruara me këngë.
Personat me aftësi ndryshe të cilët jetojnë në shtëpitë-familje të Projektit “Shpresa” dhe të Qendrës së Zhvillimit” kishin sjellë edhe disa punime të bërë prej vetë duarve të tyre.
Në fund të aktivitetit për çdo person me aftësi ndryshe, u shpërndanë disa dhurata, të cilat ishin përgatitur nga nxënësit e shkollave pjesëmarrëse dhe të rinjtë vullnetarë të Malteser.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit, Projekti “Shpresa” ndihmoi në realizimin e posterave dhe të ftesave, ndërsa shkolla “Zemra e Krishtit” hartoi skenarin e shfaqjes. Vullnetarët e Malteser ndihmuan në transportin e personave me aftësi ndryshe dhe u kujdesën për logjistikën dhe mbarëvajtjen e shfaqjes.
Aktiviteti “Një ditë së bashku” u financua nga Malteser Shqipëri dhe u pasqyrua edhe nga disa televizione lokale dhe kombëtare.