Kur një fëmijë prek pragun e kopshtit për herë të parë, është shumë i emocionuar, sepse para tij shfaqet një tjetër botë, ndryshe prej asaj që ka jetuar më parë i rrethuar prej familjarëve e fytyrave të njohura.
Por dashuria e edukatoreve dhe e fytyrave të reja të fëmijëve bëjnë që kjo kohë e jetuar në kopsht të jetë njëri prej thesareve më të bukur të jetës së tij, pasi aty ka mësuar shumë gjëra, është argëtuar pa fund e ka bërë plot miq të rinj, është rritur dhe ëndrrat e tij kanë hedhur shtat.Dita e fundit e kopshtit paraqet të njëjtën skenë: emocione e trishtim prej ndarjes prej edukatoreve e shokëve, tashmë të ngushtë.
Sot kopshti “Malteser” ka përjetuar pikërisht këto emocione. Fëmijët që në shtator do të hyjnë në klasë të parë i kanë thënë “lamtumirë” ditëve të kopshtit. Kanë mbetur mes emocioneve të së shkuarës dhe të ardhmes, të ditëve të jetuara plot entuziazëm dhe së panjohurës që i pret.
Edukatoret janë të emocionuara, jo më pak edhe prindërit e fëmijëve, të cilët janë të ftuar në shfaqjen e tyre të fundit, marrjes së diplomave.
Fëmijët kanë përgatitur një program artistik me këngë, vallëzime, recitime e lojëra.
Në fund të aktivitetit, 16 fëmijëve që në shtator hyjnë në klasë të parë, iu shpërndanë diplomat e përfundimit me sukses të ciklit parashkollor.
