Çdo vit, Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës organizon shumë aktivitete sociale, edukuese, e sensibilizuese më 8 prill, Ditën Ndërkombëtare të Romëve.
Në kuadër të muajit të Romëve, përveç aktiviteteve të përcaktuara më parë, Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës bëri të mundur që 36 fëmijë Romë dhe Egjiptianë të marrin pjesë në shfaqjen e cirkut “Bellucci”.
Të shoqëruar nga vullnetarët e Malteser, për gati dy orë, fëmijët shijuan çastet magjike dhe të paharrueshme të shfaqjes së këtij cirkut.
Cirku “Bellucci” ka 100 vite përvojë dhe prej një muaji është i pranishëm në qytetin e Shkodrës. Cirku jep dy shfaqje çdo ditë, me numra të ndryshëm akrobacie, me kafshë ekzotike e numra të tjerë, por çmimi i biletës është i papërballueshëm për shtresën e mesme të shoqërisë shqiptare e sidomos për të varfrit. Për këtë arsye Organizata mundësoi që pikërisht në ditën e tyre, fëmijët Romë të marrin pjesë në këtë shfaqje mjaft të veçantë.