Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës, është një ndër 12 partnerët e projektit Erasmus+ “Multimedia multipliers for margins”. Ky projekt është formë e avancuar e gazetarisë qytetare, i cila ka për qëllim të fuqizojë dhe përfaqësojë pikëpamjet e grupeve vulnerabël, por në të njëjtën kohë paraqet modelin inovativ të mjeteve të trajnimit për të rinjtë.
Qëllimi i projektit është që të kontribuojë në parandalimin e diskriminimit duke inkurajuar përfaqësim të barabartë në sferën publike, përmes realizimit dhe shpërndarjes së videove, fotove për përfshirje dhe integrim.
Në kuadër të këtij projekti, me datë 2 maj 2016, ora 18:00, është mbajtur një workshop me temë: “Nga rrënojat në qiellin e shtatë”. Gjatë workshop-it, përveç prezantimit të projektit, është shfaqur një video me të njëjtin titull, realizuar nga dy vullnetarë të Malteser Shqipëri, Mateo Lamnija dhe Lucjano Blinishta dhe dy të rinj nga Kroacia dhe Irlanda.
Në këtë workshop morën pjesë 50 përfaqësues: shefi i Zyrës së Arsimit, përfaqësues të Bashkisë, Prefekturës, UNDP-së OJF-ve, mësues dhe vullnetarë të Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës.