Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës kryen mjaft aktivitete humanitare për t’i ardhur në ndihmë komuniteteve në nevojë, veçanërisht komuniteteve Rome dhe Egjiptiane. Ndihmesa e radhës ishte për Kujtimen dhe të birin Leonelin.
Kujtimja dhe Leoneli jetojnë në zonën e Zukthave, në shtëpinë e gjyshes dhe të dajave, ku banojnë 13 persona. Prindërit e Leonelit u divorcuan kur ai ende nuk kishte lindur, ndërkohë që i ati nuk është interesuar për të dhe nuk e ka takuar asnjëherë. Që i vogël, bashkë me të ëmën shëtisnin rrugëve, duke mbledhur kanaçe për të siguruar bukën.
Në vitin 2015, ai u referua si rast nga një vullnetar i Orgnaizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës. U bë i mundur regjistrimi i tij në kopshtin Malteser. Gjithashtu po këtë vit, për herë të parë në jetën e tij, Neli (siç e thërrasin vullnetarët) mori pjesë edhe në kampin veror të organizuar nga Malteser, duke kaluar pushimet pranë brigjeve të detit Adriatik.
Neli vazhdon ta frekuentojë rregullisht kopshtin Malteser, por ai dhe e ëma nuk kanë një banesë ku të strehohen, nuk përfitojnë ndihmë ekonomike nga zyra shërbimeve sociale, dhe së ëmës nuk i është dhënë mundësia e punësimit edhe pse ajo ka trokitur pafundësisht në dyert e strukturave shtetërore… ajo vazhdon të mbledhë kanaçe dhe kërkon lëmoshë për të mbijetuar!
Gjatë muajve të fundit, departamenti social ka punuar intensivisht që Kujtimja të pajiset me dokumentet e nevojshme për përfitimin e asistencës sociale. Mbas shumë pune është bërë e mundur që të aprovohet ndihma ekonomike mujore për Kujtimen dhe djalin e saj. Ndihma ekonomike është 347,465 mijë lekë në muaj.