Nisur nga gjendja kritike si dhe në përgjigje të kërkesës së bërë nga Administratori Apostolik i Shqipërisë së Jugut Sh.Tij. Imzot Hil Kabashi O.F.M, për ndihmë në drejtim të zonave të përmbytura, “Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës” është ofruar për të ndihmuar familjet e prekura, duke u përpjekur sado pak për të lehtësuar gjendjen e tyre.
Si masë e parë, në ndihmë të banorëve të përmbytur, skuadra e reagimit të shpejtë të strukturave të mbrojtjes civile të organizatës bëri të mundur përgatitjen dhe shpërndarjen e:
1) 100 pako me ushqime
2) 100 pako me detergjentë
-Detergjentë për rroba
-Detergjentë për enë
3) 100 batanije
4) 80 kutia me veshmbathje në të cilat kishte:
-Këpucë për fëmijë dhe të rritur
-Rroba për fëmijë dhe të rritur
5) Ujë – 500 shishe 6 litërshe
Këto pako u shpërndanë në fshatrat Boçovë, Levan dhe Ferras. Shpërndarja e pakove u bë duke u bazuar tek listat e paraqitura nga Kryetari i Komunës së Levanit për familjet e prekura më së shumti nga këto përmbytje dhe te cilat kishin me tepër nevojë. Përfaqësues të komunës si dhe të rendit ishin të pranishëm gjatë gjithë kohës së shpërndarjes së pakove me ndihma për të evidentuar familjet në nevojë sipas listave të përgatitura si dhe evitimin e keqkuptimeve të mundshme.
Për arsye të reagimit të menjëhershëm në dhënien e kësaj ndihme, u përdorën fondet e emergjencës së Organizatës. Këto fonde do të zëvendësohen pas mbështetjes financiare të siguruar nëpërmjet Dioqezës së Sapës dhe Imzot Avgustinit nga Fondacioni Nando Peretti dhe ambasadorit të Urdhrit të Maltës në Shqipëri, Z. Palumbo.
Sipas marrëveshjes me Dioqezën e Sapës dhe Ambasadorit të Urdhrit të Maltës, kjo ndihmë ishte vetëm faza e parë e mbështetjes së popullatës së prekur nga përmbytjet gjatë kohës së emergjencës. Mbështetja në vijim do të konsistojë në ndihmën për lehtësimin e dëmeve të krijuara në sistemin e ujit të pijshëm dhe në trajnimin e informimin e nxënësve të shkollave e popullatës mbi përgatitjen për raste të tilla të emergjencave Civile.



