Në kuadër të projektit “Në mbështetje të popullsisë së Shqipërisë së Jugut të përballur me emergjencën e përmbytjeve”, projekt i financuar nga Nando Peretti Foundation dhe në bashkëpunim me Dioqezën e Sapës, Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës, menjëherë pas marrjes se lajmit për përmbytjet në qarkun e Fierit, u angazhua edhe në ndihmë të monitorimit të ujit të pijshëm për qytetin e Fierit dhe të zonave përreth.
Gjatë kësaj periudhe, përfaqësues nga Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës, në bashkëpunim me përfaqësues të pushtetit vendor dhe një inspektor të drejtorisë së Shëndetësisë, morën mostrat e ujit në disa pika të qytetit dhe në disa fshatra si, në Qarr, Peshtan, Ferras dhe Kafaraj, për disa ditë me radhë.
Theksojmë se duke u nisur nga fakti që në shumicën e fshatrave furnizimi me ujë të pijshëm për banorët vinte direkt nga shpimi, pra nuk kalonte në një depozitë të veçantë, nuk ishte e mundur klorinimi i këtij uji.
Gjithashtu stafi dhe vullnetarët e Malteser informuan banorët e këtyre zonave për problemet që mund të vinin nga konsumimi i ujit të këtyre ujësjellësve në mbrojtje të shëndetit të banorëve të këtyre zonave.



