Ka përfunduar me sukses edhe trajnimi i fundit i ciklit të trajnimeve mbi “Ekzaminimin Klinik të Gjirit”, zhvilluar në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik në kuadër të Programit IAEA të Veprimit për Terapinë kundër Kancerit (PACT) dhe Urdhrit të Maltës mbi kontrollin e kancerit.
Ky cikël trajnimesh u mbyll me trajnimin e zhvilluar në qytetin e Pukës në datat 14-15 Nëntor 2014, me pjesëmarrës mjekë dhe infermierë të qytetit të Pukës. Trajnimi është zhvilluar edhe në kuadër të muajit tetor, muaji i ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit.Janë zhvilluar gjithsej 8 trajnime respektivisht në Pukë, Malësi e Madhe dhe Shkodër, duke u trajnuar rreth 170 mjekë dhe infermierë të shëndetit parësor. Trajnimet janë akredituar nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim dhe janë vlerësuar me 13 pikë kredite.
Ky cikël trajnimesh ka qenë faza e dytë e projektit “Të luftosh kancerin”, mbështetur edhe nga ish Ambasadori i Urdhrit të Maltës në Shqipëri, Prof. Dr. Gunther Granser.
Faza e parë e projektit është fokusuar në fushatat promocionale dhe sensibilizuese për mbarë komunitetin mbi kancerin e gjirit. Gjatë këtyre fushatave janë shpërndarë broshura dhe fletëpalosje mbi kancerin e gjirit. Gjithashtu, është trajnuar dhe vazhdon të trajnohet personeli shëndetësor në zonat e thella malore.
