Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës ia doli me sukses që të mbyllte vitin e tretë të “Trajnimit të Ndihmës së parë në shkolla” për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në Shkodër dhe Lezhë. Qëllimi i këtij trajnimi ishte që të kontribuonte për një edukim shëndetësor më të mirë për të rinjtë, veçanërisht në çështjet dhe praktikën e ndihmës së parë. Edhe gjatë këtij viti, trajnimi kaloi nëpër katër fazat e veta:
1) 15 trajnime standarde të Ndihmës së Parë;
2) 3 trajnime të trajnuesve (multiplikatorëve) me pjesëmarrjen e 10 nxënësve më të mirë në çdo trajnim;
3) trajnimin e nxënësve nga “skuadra e multiplikatorëve të Ndihmës së Parë” në çdo shkollë nën mbikëqyrjen e Malteser; dhe
4) konkursi mes shkollave, ku shkolla fituese do të merrte çmimin e një seti trajnimi (laptop, projektor dhe modularin Anna).
Në përfundim, janë trajnuar gjithsej 165 nxënës të shkollave në Shkodër dhe 78 në Lezhë.
Konkursi u zhvillua në ambientet e shkollës së mesme “At Pjetër Meshkalla”, ku nxënësit e 15 shkollave konkurruan para drejtuesve të zyrave rajonale arsimore të Shkodrës dhe Lezhës, mësuesve dhe nxënësve të tjerë të shkollave pjesëmarrëse. Në përfundim të këtij konkursi, vendin e parë e zuri shkolla “Jordan Misja”, Shkodër; vendin e dytë shkolla “Nënë Tereza, Bushat dhe, vendin e tretë e zuri shkolla “Karl Gega”, Balldre.
Çmimet përkatëse iu dorëzuan nxënësve të shkollave fituese nga Presidenti i Organizatës Malteser Hilfsdienst, Dr. Michael Faber dhe vullnetari i Organizatës Italiane të Urdhrit të Maltës, Z.Gregorio Barbieri.



