Për herë të parë, Princi dhe Mjeshtri i Madh i Urdhrit të Maltës, Fra’ Matthew Festing, vizitoi Shqipërinë në datat 19 – 21 janar 2015.
Përveç takimeve që Fra’ Festing pati me përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar, një aktivitet i rëndësishëm ishte edhe vizita në zyrën e Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës, njohja me disa prej aktiviteteve që Organizata zhvillon, siç është edhe kopshti “Malteser”.
Gjatë vizitës së tij, Fra’ Matthew Festing, u shoqërua nga delegacioni i tij i përbërë nga Kancelieri i Madh i Urdhrit të Maltës, z. Albrecht Freiherr von Boeselager; Hospitalieri i Madh i Urdhrit të Maltës, z. Prince Dominique de La Rochefoucault-Montbel; Ambasadori i Urdhrit të Maltës në Shqipëri, z. Stefano Palumbo së bashku me bashkëshorten e tij znj. Valeri Palumbo; Këshilltari Diplomatik i Kancelierit të Madh, Sh.T. Alberto Leoncini Bartoli; Shefi i Zyrës së Protokollit, z. Leonardo Marra; Drejtori i Zyrës së Komunikieve, z. Baron Eugenio Ajroldi di Robbiate; përfaqësuesi i “Malteser Hilfsdienst” në Gjermani, z. Matthias Heiden dhe ish drejtuesi shpirtëror i Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës, Atë Stefan Schwarz, si dhe përfaqësues të Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës.
Në mjediset e kopshtit, ata u pritën mjaft ngrohtë nga fëmijët, edukatoret, asistentja dhe menaxherja e projektit të kopshtit. Gjatë vizitës, ata u njohën më nga afër me fëmijët e secilit grup, aktivitetet e tyre mësimore dhe zbavitëse, si dhe me punimet e ndryshme që vetë fëmijët realizojnë në orët e mësimit.
Në fund të kësaj vizite, disa fëmijë recituan dhe më pas i dhuruan Princit dhe Mjeshtrit të Madh dhe pjesëtarëve të tjerë të delegacionit nga një dhuratë të punuar prej vetë dorës së tyre.
Ky kopsht ka filluar që në vitin 2010 dhe vazhdon të mbështetet financiarisht nga Malteser Hospitaldienst Austri dhe nga ish Ambasadori i Urdhrit të Maltës në Shqipëri, Prof. Dr. Günther Granser, aktualisht Kryetar i Misionit të përhershem vëzhgues të Kombeve të Bashkuara në Vjenë.
