Malteser Shqipëri gjithmonë ka punuar dhe ende punon gjerësisht me Komunitetet Rome dhe Egjiptiane, duke i ndihmuar, me qëllim që t’i përfshijë aktivisht në shoqëri nëpërmjet shërbimeve në fusha të ndryshme, si: sociale, mjekësore, mbrojtje civile dhe konsulencë ligjore.
Projekti PAIRS, i përbërë nga 18 partnerë nga 8 vende të Evropës Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë, financohet nga BE dhe drejtohet nga Malteser Hungari. Malteser Shqipëri është pjesë e këtij projekti me Ministrinë e Punës dhe partnerë të tjerë. Në kuadër aktiviteteve të Projektit PAIRS, aktiviteti i radhës u mbajt në Shkodër, më 14 tetor 2014. Qëllimi i organizimit të tij ishte përfshirja dhe sensibilizimi i grupeve të interesit për nxitjen e shkollimit parashkollor dhe shkollor të komuniteteve Rome dhe Egjiptiane në vendin tonë. Gjatë vizitave studimore, Malteser është njohur me iniciativa të cilat synojnë përfshirjen sociale të fëmijëve Romë dhe Egjiptianë në vendet partnere të këtij projekti.
Gjatë takimit me aktorë të interesuar për nxitjen e shkollimit, në fillim stafi i Malteser prezantoi për të pranishmit punën që bën në bashkëpunim me aktorët lokalë dhe kombëtarë për shtrirjen e mësimeve të përfituara nga metodat efikase të integrimit. Gjatë takimit u shfaq filmi dokumentar “Çfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh?” produksion i organizatës partnere të Rumanisë. Ky dokumentar, i cili do të përshtatet me personazhe shqiptare të komuniteteve Rome dhe Egjiptiane, do të shfaqet në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe do të synojë sensibilizimin e këtyre komuniteteve në lidhje me shkollimin e fëmijëve të tyre.Më pas u mbajtën temat “Format e sensibilizimit që mund të përdoren për të nxitur pjesëmarrjen e fëmijëve Romë dhe Egjiptianë në sistemin parashkollor dhe shkollor” dhe “Bashkëpunime të qëndrueshme dhe të vazhdueshme në struktura, për të mundësuar eksesin në arsimin parashkollor dhe shkollor për fëmijët Romë dhe Egjiptianë”.
Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të Drejtorive Arsimore Rajonale të Shkodrës, Lezhës, Malësisë së Madhe, Shërbimit Social Shtetëror, Bashkisë e Qarkut Shkodër, si dhe OJF të ndryshme.
