Në kuadër të projektit “Punonjës të rinj të aftë: motivimi më i mirë për vullnetarët tuaj”, në tëcilin “Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës” merr pjesë si partnere e Erasmus+, programi arsimor i Bashkimit Evropian, i cili synon modernizimin e sistemeve arsimore dhe përshtatjen e tyre me nevojat e tregut të punës, u zhvillua vizita e tretë studimore në Ukrainë në datat 13 – 20 shtator.
Qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i kompetencave te punonjësve socialë (të rinj) dhe motivimi i vullnetarëve të rinj në përfshirjen e tyre në aktivitetet sociale.
Projekti “Punonjës të rinj të aftë: motivimi më i mirë për vullnetarët tuaj” i adresohet punonjësve të rinj të Organizatave të Urdhrit të Maltës në Shqipëri, Republikën Çeke, Rumani dhe Ukrainë, të cilat po punojnë me vullnetarë të përfshirë në punë sociale. Projekti udhëhiqet nga partnerët çekë, përfundon në fund të këtij viti dhe financohet nga Erasmus+/agjenci e BE. Vizita studimore në Ukrainë është realizuar në zyrat e organizatës Malteser Ivano-Frankivsk dhe Lviv.
Gjatë kësaj vizite studimore është punuar me disa tema si: vlerësimi, mbikëqyrja, motivimi etj.
Të gjitha këto tema janë zhvilluar nga grupe të përziera të pjesëmarrësve, duke iu përmbajtur aktiviteteve që kanë skuadrat e të rinjve Malteser në Shqipëri, Ceki, Rumani, Ukrainë. Temat do të hidhen në një broshurë, që do t’u shërbejë të rinjve të cilët bëjnë punë vullnetare në projekte të ndryshme sociale.Gjatë vizitës ishte planifikuar edhe vizita në dy projekte sociale ku vullnetarët e Malteser Ukrainë japin kontributin e tyre.
Njëra vizitë ishte projekti për fëmijët e braktisur në Ivano-Frankivsk, qendër e cila drejtohej dhe mbështetej nga Kisha katolike dhe vizita tjetër tek shkolla e fëmijëve me probleme dëgjimi dhe të folurit në Lviv, shkollë e cila mbështetej nga shteti.
Gjatë qëndrimit të tyre, pesë vullnetarët e Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës patën mundësi të vizitojnë qytetet Lviv dhe Ivano-Frankivsk, si dhe kisha e qendra muzeale.
