Ditën e diel, më 19 prill, me iniciativë të Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës, në studiot e Tv Rozafës u zhvillua një emision televiziv me teme “Autizmi”, në kuadër të fushatës sensibilizuese që kjo Organizatë ka marrë gjatë muajit prill, si muaji i ndërgjegjësimit mbi autizmin.
Në këtë emision ishte i ftuar një panel prej katër personash specialistë të kësaj fushe, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore Shkodër, znj. Suela Moleshka, kryetare e komisionit disiplinor pranë DAR Shkodër dhe z. Skënder Hasani, anëtar i këtij komisioni; si dhe të Qendrës së Këshillimit dhe Shërbimit Malteser, z. Arben Hoxha, logoped dhe znj. Megi Lazri, psikologe pranë kësaj qendre. Emisioni u fokusua në disa drejtime si, dhënien e informacioneve që kanë të bëjnë me autizmin: çfarë është autizmi, cilat janë shenjat e para, si trajtohet etj. U bë edhe prezantimi i aktiviteteve që Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës organizon në këtë fushë; çfarë po bën DAR Shkodër në drejtim të integrimit në shkolla të fëmijëve që i përkasin spektrit të autizmit çfarë po bëhet në drejtim të futjes së mësuesit mbështetës në klasa ku ka fëmije të këtij spektri; roli dhe kualifikimi që mësuesi duhet të ketë për këtë pozicion. Një tjetër aspekt mjaft i rëndësishëm që u trajtua, ishte roli i shoqërisë në pranimin e tyre, vlerësimin e aftësive të tyre të veçanta, si një faktor kyç në integrimin e tyre.