Pallati i sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër ka mirëpritur të shtunën e 28 marsit me qindra të rinj e të reja të dioqezës së Shkodrës në festimin e Ditës Dioqezane të Rinisë nën mesazhin “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin” (Mt 5, 3). Pjesë e këtij aktiviteti kanë qenë edhe të rinjtë e Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës.
Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë edhe krerë të besimit fetar, Arqipeshkvi i Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, si dhe drejtues vendorë, si, Kryetari i Bashkisë, Z. Lorenc Luka dhe Kryetari i Qarkut, Z. Maxhid Cungu, të cilët e përshëndetën ngrohtësisht këtë aktivitet rinor.
Arqipeshkvi i Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra, në fjalën e tij e vuri theksin në simbolin e rinisë, në mesazhin që të rinjtë përçojnë për jetën.
Ky aktivitet, i cili zgjati për rreth dy orë, u shoqërua me një program artistik, në të cilin performuan grupe rinore të ndryshme. I ftuar ishte edhe këngëtari i mirënjohur dhe mjaft i dashur për të rinjtë, Alban Skenderaj.


