Në mëngjesin e 20 janarit, Princi dhe Mjeshtri i Madh Fra’ Matthew Festing i shoqëruar nga Albrecht Freiherr von Boeselager, Kancelier i Madh i Urdhrit; Prince Dominique de La Rochefoucault-Montbel Hospitalier i Madh i Urdhrit, mbërrin në ambientet e “Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës”.
Ai u prit nga Presidenti i Organizatës Imzot Lucjan Avgustini, Drejtori Ekzekutiv z. Maranaj Marku, stafi dhe nga vullnetarë e bashkëpunëtorë të Organizatës. Gjatë qëndrimit në ambientet e Organizatës, Mjeshtri i Madh pati mundësinë të informohet shkurtimisht për projektet dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë këtyre 20 viteve. Më pas, Mjeshtri i Madh, së bashku me delegacionin e tij kanë vizituar kopshtin Malteser. Ata janë njohur me nga afër me fëmijët dhe me personelin edukues te tyre.
Gjatë kësaj vizite, Fra’ Matthew Festing si dhe delegacioni i tij, janë takuar me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, z. Lorenc Luka, me Arqipeshkvin e Shkodrës, Imzot Angelo Massafra,si dhe kanë vizituar “Muzeun e Dëshmisë dhe të Kujtesës së Krimeve të Komunizmit”. Gjatë vizitës në muze, Z. Luka i ka informuar të pranishmit në lidhje me nevojën për të nderuar dhe memorializuar viktimat e krimeve të komunizmit dhe nevojën për të informuar brezin e ri dhe shqiptarët që jetojnë në emigracion me krimet, dënimet, apo burgjet e diktaturës komuniste në Shqipëri.






Kjo më pas u pasua edhe me një takim, në të cilin Princi dhe Mjeshtri i Madh Fra’ Mattew Festing dha fjalimin përshëndetës si dhe falënderoi bashkëpunëtorët e “Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës” për kontributin e dhënë gjatë këtyre 20 viteve. Një tjetër fjalë përshëndetëse dha edhe Atë Stefan Schwarz, iniciues i themelimit të kësaj organizate, Imzot Lucjan Avgustini, Z. Lorenc Luka si dhe Z. Maranaj Marku.
Në datën 19 janar, Fra’ Matthew Festing u prit nga Presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani, Kryetari i Parlamentit z. Ilir Meta si dhe nga Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama. Gjatë këtij takimi krerët e lartë të shtetit shqiptar shprehën mirënjohjen e tyre dhe atë të popullit shqiptar për kontributin e çmuar të dhënë nga Urdhri Sovran i Maltës përmes “Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës” gjatë këtyre 20 viteve të fundit në vendin tonë.