Në prag të kohës së Ardhjes, përgatitjes për festën e Krishtlindjes, të mërkurën më 27 nëntor, Drejtuesi Shpirtëror i Malteser Shqipëri, Provinciali i Etërve Françeskanë, Atë Gazmend Tinaj, i cili shoqërohej edhe nga Atë Nuncio Catagnia, organizoi një takim formimi me të rinjtë vullnetarë të Malteser Shqipëri mbi formimin e tyre si të krishterë.
Takimi me temë “Rëndësia e njeriut në shoqërinë tonë” përfshiu 40 të rinj vullnetarë të Malteser dhe ishte më shumë një bashkëbisedim se sa një ligjëratë, ku nuk munguan edhe diskutimet dhe pyetjet e shumta.
Atmosfera ishte mjaft mikpritëse në ambientet e Malteser. Pas takimit pjesëmarrësit vazhduan të bashkëbisedonin me Etërit dhe me njëri-tjetrin, tashmë në ngrohtësinë e çajit dhe të kafesë.
Ky është njëri prej takimeve që Malteser ka përcaktuar në kalendarin e saj të aktiviteteve formuese me vullnetarët dhe të rinjtë e vet dhe do të pasohet nga të tjera takime.